Vdekja e mistershme e 23-vjeçares ukrainase në autostradën “Arber Xhaferi”, nëna e saj ka një kërkesë për shtetin e Kosovës

Views: 155

Mbrëmjen e 21 shkurtit Policia e Kosovës, gjatë patrullimit në autostradën “Arber Xhaferi”, kishte vërejtur një person të shtrirë në rrugë (shiritin emergjent), më pas ishte njoftuar emergjenca – pas verifikimit mjeku kujdestar kishte konfirmuar se personi femër, shtetase e huaj është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes ishte thirrur edhe njësiti relevant për trajtimin e rastit, përfshirë edhe prokurorin kompetent, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin Mjeko –Ligjor në Prishtinë.

Viktima, ishte identifikuar si shtetase ukrainase 23-vjeçare, me emrin Olena Kozij, vdekja e së cilës ende nuk ka marrë epilog.E për këtë, është e shqetësuar nëna e viktimës, Natasha Kozij. Ajo ka dërguar një letër në redaksinë e Telegrafit, në të cilën shpreh brengën e saj për mënyrën se si ka vdekur e bija.

Natasha thotë se ka kontaktuar me institucionet relevante të drejtësisë në Kosovë, për të zbardhur të vërtetën për vajzën e saj.

Ajo tregon se rreth orës 18:15, e bija kishte ndaluar në një pikë karburanti, dhe kishte biseduar në telefon me të bijën.

“Në dritën e rrethanave të vdekjes së parakohshme të vajzës sime, iu kam drejtuar prokurorisë dhe kam kërkuar me ngulm verifikimin dhe shqyrtimin e pamjeve të vëzhgimit si nga rezidenca e Olenës, ashtu edhe nga pika e karburantit që ajo vizitoi më 21 shkurt 2024, në orën 18:15, jam përballur me shpërfillje”, shprehet nëna e Olenës.

Sipas nënës së viktimës, Olena posedonte dy telefona; megjithatë, vetëm një është gjetur në vendin e ngjarjes nga njësitet policore.

“Telefoni me të cilin kam komunikuar me të është zhdukur në mënyrë misterioze. Kjo ngre dyshime se provat jetike që kanë të bëjnë me kontaktet e saj të fundit mund të jenë fshehur qëllimisht”, shprehet më tutje.Natasha thekson se më 20 dhe 21 shkurt, Olena ishte në shoqërinë e një personi, identiteti i të cilit thotë se mbetet i panjohur për të.

Ndërkaq, herën e fundit që kishte folur, pak orë para se të gjendej e vdekur, Natasha thotë se e bija e saj ishte në humor të mirë, e qeshur.

Madje shton se i kishte thënë se posa të arrijë në vendbanimin ku jetonte, do të t’i telefononte.

“Herën e fundit që fola me Olenën më 21 shkurt në orën 18:15, ajo ishte në humor të mirë dhe më siguroi për mirëqenien e saj. Ne u dakorduam që ajo të më kontaktonte kur të kthehej në shtëpi. Megjithatë, duket se ky individ e ka braktisur atë në vendin e krimit dhe është arratisur me telefonin e saj, me sa duket për të fshehur provat inkriminuese të lidhjes së tyre”, thuhet në letrën e Natashës.

Pas gjithë këtyre informacioneve, nëna e viktimës pretendon se prokuroria po e neglizhon rastin, dhe nuk po merr parasysh asgjë nga kërkesa e saj.

“Me gjithë apelimet e mia të vazhdueshme, prokuroria ka dështuar të marrë masa vendimtare. Unë dua që të gjendet autori dhe të sillet para drejtësisë”, thuhet në letrën e nënës së viktimës./Telegrafi/

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *