Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka nisur javën me rënie të madhe duke prekur nivelin më të ulët të vitit 2024.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 102.26 lekë, niveli më i ulët që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar. Në muajin e fundit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar rënie me afërsisht 1.6%.
Rënia e kursit të Euros po reflektohet edhe në kursin e valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra sot në vlerën e 94.44 lekëve dhe po i afrohet përsëri nivelit më të ulët vjetor.
Me hyrjen e 3-mujorit të dytë, ekspertët mendojnë se tashmë kursi i këmbimit valutor ne Shqiperi po shfaq efektet e ndikimit në rritje të turizmit. Po të kemi parasysh dinamikën sezonale të turizmit, është e pritshme që ky efekt të forcohet gjatë muajve në vazhdim. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë vitit 2023.