Modeli Rama-Meloni po merr përkrahje të gjerë brenda shteteve anëtare të BE-së në mënyrë që emigrantët që përpiqen të arrijnë në BE të transferohen drejt vendeve të treta të përzgjedhura, përpara se të arrijnë në brigjet evropiane.
Kjo procedurë sipas ekspertëve do të ishte e vështirë për t’u aplikuar sipas legjislacionit aktual evropian të imigracionit. Nisma për kopjimin e modelit italo-shqiptar u ndërmor nga Danimarka dhe u pasua nga Republika Çeke, Holanda dhe Shtetet Baltike.
Gazeta e mirënjohur çeke “Hospodářské Noviny” thekson se emigrantët që shkojnë në Evropë pa dokumentet e nevojshme nuk do të arrijnë më as në brigjet e BE-së. Plani përfshin gjithashtu edhe zhvendosjen e atyre që janë tashmë në një vend të BE-së, por nuk u është dhënë azil, duke sugjeruar që këta emigrantë mund të dërgohen në një vend jashtë BE-së, ku do të qëndrojnë derisa të mund të dëbohen.
Italia ishte vendi i parë i BE-së që nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me një vend të tretë (Shqipërinë), për kontraktimin e procedurave të migracionit.